Kryeministri Edi Rama i hapi rrugë shkarkimit të Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për kryeqytetin, ndërkohë që kryebashkiaku është nën hetim nga SPAK.
Kreu i qeverisë shpalli Ogerta Manastirliun si kandidate e Partisë Socialiste për drejtimin e kryeqytetin, një vendim që duket se e ka kapur në befasi edhe vet ministren në detyrë të Arsimit.
"Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta përditë e përnatë. S’i heq absolutisht asnjë meritë kryetares në detyre, për sa ka bërë në 7 muaj anomalie totale institucionale të paprecedentë për kryeqytetin. Sot duhet të marrim një vendim politik për t’u hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Përfaqësuesit tanë në Këshillin Bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të kryebashkiakut të zgjedhur, pavarësisht se kuadri ligjor lë për të dëshiruar, për rastin kur kryetari i bashkisë është i penguar të paraqitet në detyrë nga paraburgosja. Tirana s'mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë”.
Rama tha se Ogerta Manastirliu "është njeriu që i duhet sot Tiranës", dhe "do të kurojë plagët e hapura të qeverisjes së çalë të këtij viti".
“Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës. Ogerta është forca e qetë e tironses denabadem, punonjëses dhe drejtueses së dikurshme të punëve sociale në Bashkinë e Tiranës, e gruas dhe nënës që ka rritur vajzat e saj të shkëlqyera në këtë qytet, e qytetares dhe menaxheres shembullore që nevojitet në këtë situatë, për të kuruar plagët e hapura të qeverisjes së çalë të këtij viti tejet të vështirë për kryeqytetin, dhe për të çuar përpara punën tonë transformuese për Tiranën 2030, kryeqytet i Europës së Ballkanit. E dashur Ogerta e di që s’do ma falësh kollaj këtë bombë të palajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën dhe Tirana ka nevojë për PS-në si lokomotiva për servisin e saj të vetëm”.



