Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, në një deklaratë për mediat në mesditë sqaroi kushtet e përfshirjes së administratës në fushatën elektorale.
“Ndalohet kategorikisht përdorimi i mjeteve, fondeve materiale të ndryshme pronë e administratës publike si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike të çdo niveli. Përcaktohet qartë ndalimi i fushatës zgjedhore në institucione publike. Ndalimi i përdorimit të detyruar të administratës së institucionit për veprimtari të fushatës zgjedhore brenda orarit të punës, si dhe i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda orarit mësimor. Jashtë këtij përcaktimi, ata janë të lirë të mbështesin cilën parti të duan”, tha ajo.
Koçiu tha se do të ngrihet një një strukture të posaçme monitorimi për administratën gjatë kësaj periudhe.
“Të drejtat politike për punonjësit e administratës nisin pas orarit zyrtar dhe jashtë perimetrit të institucioneve të administratës. Kushdo ka të drejtë të plotë e të pacënueshme të angazhohet me cilëndo parti politike. Mësuesit janë të lirë, nxënësit janë të lirë por jashtë institucionit dhe orarit zyrtar. Sot po finalizohet vendimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe që ndër të tjera parashikon ngritjen e një strukture të posacme monitorimi për administratën gjatë kësaj periudhe”, tha Koçiu.



