Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë publike me anë të një postimi në “Facebook” shantazhet që sipas tij i janë bërë nga një pronar medie dhe ndërtues, pasi këtij të fundit i është refuzuar dhënia e një leje ndërtimi. Ahmeti thotë se e ka denoncuar këtë fakt edhe në prokurori.
Postimi i Ahmetit
Pronari i gazetës Kosova Sot, qe një kohë kërkon një leje shumëkatëshe (20 kat) në qendër të Prishtinës në shpërputhje me Planin Rregullativ dhe hapësirën përreth. Edhe pse shumë herë jemi takuar dhe ia kemi shpjeguar, ka filluar që të na kërcënojë e shantazhojë me gazetë.
Artikujt e sponzorizuar e të përditshëm me gënjeshtra, shpifje nuk do të na zbrapsin. Për këto gënjeshtra e shpifje mund edhe të shpërblehen nga qeveria me terminale doganore, por ne nuk e kemi mendjen të jemi pre e shantazheve e shpifjeve. E ata nuk do të diskriminohen, por as privilegjohen. Mediat nuk janë mjete të pronarëve për përfitime personale, së paku në besimet dhe qëndrimet tona jo.
Për kërcënimet e shantazhet është lajmëruar prokuroria ndërsa kemi përgatitur dhjetëra padi civile në gjykatë.



