
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, e konsideron si një ndër prioritetet e qeverisë uljen e panunësisë në vend. Gjatë fjalës në konferencën me temë “Politikat në mjediset e punës”, Ahmetaj tha se në 4 vite janë hapur 260 mijë vende pune, ndërsa në zyrat e punës janë regjistruar 36 mijë vende të lira pune, që presin individë me kualifikimin e duhur.
“Zhvillimet pozitive nuk janë thjesht statistika, por reale. Raportet janë reale dhe nuk janë numra. 4 vitet e fundit shifrat e punësimit janë inkurajuese. 260 mijë vende pune në 4 vite. Rritja e punësimit është në 61 %. Vendet e punës janë të reja dhe të formalizuara. Kemi marrë angazhimin që papunësia të zbresë në nivel 1 shifror, që nuk është pak. Sfida që kemi është së pari kualiteti dhe kualifikimi i fuqisë punëtore. Janë 36 mijë vende të lira pune për 10-mujorin e vitit 2017. Sipërmarrja kërkon kualifikimin e duhur. Beteja me papunësinë është prioritet i qeverisë”, tha Ahmetaj.
Sipas ministrit, rritja ekonomike vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 4,2%.



