
Kreu i gjigantit kinez të teknologjisë Huawei ka paralajmëruar se kompania e tij mund të largohet nga vendet perëndimore nëse vazhdon të përballet me kufizime.
Huawei është nën vëzhgim nga qeveritë perëndimore, të cilat druajnë se produktet e saj mund të përdoren për spiunazh.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, Liang Hua tha se firma e tij mund të transferojë teknologjinë në vendet "ku ne jemi të mirëpritur".
Ai gjithashtu theksoi se Huawei ndjek rregullat kudo që vepron.
Huawei bën telefona të zgjuar por është gjithashtu një lider botëror në infrastrukturën e telekomunikacioneve, në veçanti gjeneratën e ardhshme të rrjeteve të telefonisë celulare, të njohur si 5G.
Por shqetësimi për sigurinë e teknologjisë së tij është në rritje, veçanërisht në SHBA, Britani të Madhe, Kanada, Australi dhe Gjermani.
Kompania është e ndaluar nga oferta për kontrata qeveritare në SHBA, ku shërbimet e inteligjencës kanë ngritur pyetje rreth lidhjeve të themeluesit të Huawei Ren Zhengfei me Partinë Komuniste në pushtet të Kinës.
Muajin e kaluar, BT konfirmoi se pajisjet e Huawei po largoheshin nga një sistem komunikimi që po zhvillohej për shërbimet emergjente të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë, Gjermania po shqyrton bllokimin e firmës nga rrjeti i ri i telefonisë së lëvizshme të gjeneratës së ardhshme.
Huawei gjithmonë ka pohuar se është një kompani private, në pronësi të punonjësve të saj, pa lidhje me qeverinë kineze.
Kompania thotë se mbetet e angazhuar për investimin e saj prej 3 bn paund në Britani.
Drejtuesit e lartë të kompanisë rrallë japin intervista, por një numër gazetarësh janë ftuar të bëjnë pyetje të Liang në periferi të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Liang u tha atyre se nëse kompania përballet me pengesa të mëtejshme për të bërë biznes në disa vende, "do të transferonim partneritetin e teknologjisë në vendet ku jemi të mirëpritur dhe ku mund të kemi bashkëpunim".



