Sekretari për mediat në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, strategjinë e re të qeverisë për krijimin e një operatori kombëtar për trajtimin e mbetjeve e sheh si cenim të autonomisë së pushtetit vendor dhe përqendrim të çdo pushteti në një dorë.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai tha se strategjia është tendencë për të kapur çdo lekë.
Ne e kishim strategjinë dhe planin e veprimit që kishte ripërdorimin dhe riciklimin. Për fat të keq Edi Rama u largua nga kjo strategji dhe u fut në aventurën e inceneratorëve ku vodhi 400 milionë euro. Tani po kthehet në strategjinë e parë, por me një ndryshim duke e marrë nga bashkia, te qeveria. Kjo është tendencë për të kapur çdo lekë, për të mos i lënë asgjë në dorë pushtetit vendor.
Në ndarjen territoriale janë krijuar bashki që kanë territore tejet të vogla dhe nuk kanë para për të justifikuar ngritjen e një landfilli dhe duhen landfille rajonale. Qeveria po hedh në erë atribute të pushtetit vendor. Qeveria po përpiqet të monopolizojë çdo lekë që është në përdorim të pushtetit vendor. Ky është një dhunim që i bëhet kartës së autonomisë vendore të pushtetit vendor.
Kemi të bëjmë me një sulltan që do të përqendrojë çdo lloj pushteti në një dorë. Ka vjedhur 400 milionë euro me inceneratorët. Inceneratori i Elbasanit u quajt krenari, por kemi të bëjmë me një vjedhje monstruoze. Nuk ka ndodhur një por tre herë. Ka ndodhur me procedura, me 17 firma brenda ditës, vetëm me urdhrin e Edi Rama.
Sa i takon marrjes në pyetje të vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Arbër Veliaj, Malltezi e sheh si përpjekje të Edi Ramës për të hequr pataten e nxehtë nga vetja.
Çështja më e nxehtë e SPAK është inceneratori, por po të merret me inceneratorët, shkohet direkt te Edi Rama. SPAK po merret me çfarëdo lloj çështje sekondare, vetëm për të shmangur përgjegjësinë direkt të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Po bëhet një përpjekje titanike e shërbëtorëve të Edi Ramës në SPAK, për të shmangur çdo përgjegjësi të Ramës.
Në rast se Veliaj ka çështje penale, e ka te inceneratorët, te lejet e ndërtimit që ka dhënë për grataçela, duke ndryshuar planin rregullues të Tiranës, vetëm për t’ia dhënë gjimnazin klientit të Edi Ramës, Karlo Bolinos.
Ndërsa te çështja e vëllait të Veliajt, duhet parë nëse klientët e tij janë përfitues të fondeve të bashkisë Tiranë.



