Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur sot përmes një prononcimi për mediat lidhur me incidentin e mbrëmshëm në Uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
Ai u kërkoi qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos panikosen, ndërsa u shpreh se distancohet nga çdo spekulim politik, pasi ngjarje të tilla s’mund të trajtohen si politikë e ditës.
Ndër të tjera Peleshi u shpreh se ka pasur informacion lidhur me tre shtetasit e huaj, të cilët sipas ministrit kanë qenë nën vëzhgim.
Gjendja e ushtarakëve është e mirë, shumë e mirë do të thoja. Kanë kaluar një natë të qetë, besoj që sot janë gati për të dalë. Ngjarja duhet të presim të gjithë të zbardhet. Ajo që kam dëgjuar nga dëshmitë e ushtarakëve është që tre shtetas të huaj i janë afruar ish-uzinës mekanike të Gramshit. Prej shumë vitesh ajo uzinë s’ka aktivitet. Janë afruar për të fotografuar. Dy ushtarakët tanë i kanë pikasur dhe i kanë mbajtur në vëzhgim. Njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin në mënyrë të paligjshme. Në këtë moment dy ushtarakët e kanë ndaluar. Shtetasi i huaj ka reaguar fizikisht, ka përdorur edhe një spraj që ka shkaktuar një lëndim. Dy ushtarakët kanë njoftuar Policinë e Shtetit që ka reaguar shumë shpejt, duke kryer ndalimin e shtetasve të huaj”.
Distancohet nga çdo spekulim politik. Është jo normale që ngjarje të tilla t’i trajtojmë si politikë e ditës. Kanë qenë në vëzhgim, prandaj ushtarakët tanë kanë reaguar në momentin e duhur. S’mund të komentoj nëse një nga shtetasit është blogerë. Megjithatë kemi të bëjmë me një ngjarje që ka dhunë brenda. Nuk kam informacion për pajisje përgjimi”.
Peleshi deklaroi se po mendohet për rivendosjen në punë të uzinave të armëve.
Për shkak të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim. Kemi bërë mirë që nuk e kemi shuar përfundimisht industrinë tonë. Po mendojmë për t’i rivendosur në punë këto uzina”.



