
Policia e Tiranës ka identifikuar dhe ndaluar nënën e foshnjës që u gjet i braktisur mesditën e së mërkurës, në bodrumin e një pallati në Tiranë. Sipas informacioneve të Policisë, ajo është një një 30-vjeçare me origjinë nga pogradeci, por banuese në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë.
Efektivët kanë bërë shoqërimin e saj, ndërsa po i merret dëshmia mbi aktin e rëndë, atë të braktisjes së fëmijës. Ndërkohë, nga bluzat e bardha mësohet se foshnja që u gjet në bodrumin e pallatit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, i intubuar. Lindja dyshohet që 30-vjeçarja ta ketë kryer në vendin ku u gjet foshnja, ndërsa në trupin e këtij të fundit, janë konstatuar dëmtime të konsiderueshme.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, e cila bën fjalë për gjetjen e një foshnje të porsalindur në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e një 30-vjeçareje, si autore e dyshuar e kësaj ngjarje.
Pas identifikimit dhe shoqërimit, shërbimet e Policisë e kanë dërguar 30-vjeçaren për ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.



