Një paralajmërim lidhur me projektin për Portin e Durrësit, vjen nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili thotë se mund ketë pasoja katastrofike për ekonominë e vendit.
Nga një konferencë me gazetarët mesditën e sotme, Meta tha se nuk ka asnjë informacion apo transparencë që do të parandalonin dëmet e miliona eurove për qytetarët shqiptarë.
Në 27 tetor, sipas akteve të qeverisë na shfaqet si investitorë dhe një kompani tjetër me bazë në Dubai e themeluar në 2015-ën, një kompani offshore.
Është e qartë se kjo është aferë tipike mafioze kundër interesave kombëtare, strategjike edhe në drejtim të sigurisë kombëtare dhe të pozitës së Shqipërisë sa i takon rolit të saj sa i takon zhvillimit ekonomik të gjithë rajonit.
Është aferë që mund të rezultojë me pasoja katastrofike për vendin dhe për mungesën e zhvillimit të së ardhmes dhe për vetë financat publike.
Ai shtoi se Partia e Lirisë do të shkojë më tej dhe do të bëjë përgjegjëse çdo autoritet.
Sa i takon kandidatëve të Partisë Demokratike, lidhur me primaret për Bashkinë e Tiranës, tha se secilin prej tyre e shikon të fortë.
Cilido që zgjidhet do ketë përkrahjen e Partisë së Lirisë. Situata në Tiranë është katastrofike, mungesë transparence, llogaridhënie zero, përveç arrogancës, situata është pozitive për opozitën, të përqendrohen tek programi i tyre, për ti kthyer Tiranën qytetarëve.
Sa i takon lënies së mandateve nga dy deputetët Alfred Rushaj dhe Grida Duma, tha se janë akte individuale dhe duhen respektuar.
Ajo që ju them me siguri është që parlamenti i 25 prillit është i deformuar. Është një hap para parlamentit të ‘këpëratave', por është larg të qenit një parlament funksional, një parlament që kontrollon qeverinë, që mbron institucionet e pavarura, një parlament që respekton Kushtetutën dhe tani vëmendja është tek 12 nëntori dhe dita e protestës kombëtare.
Sipas tij, vëmendja është protesta dhe jo tek parlamenti, pasi nëse parlamenti do funksiononte protesta nuk do ishte kaq e nevojshme dhe presion i qytetarëve nuk do ishte kaq i madh.
Unë jam i bindur se protesta e 12 nëntorit do të jetë një shkëlqim i qytetarisë së Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.
Opozita është e vendosur në këtë drejtim. Dhuna as ka qenë dhe as nuk është aleat i opozitës.
Përkundrazi qytetarët dalin kundër dhunës sistematike që bëhet nga qeveria Rama, do ta dalin kundër dhjetëfishimit të gjobave, kundër nxjerrjes së fëmijëve nga kopshtet.
Kemi dhunë të vazhdueshme, duke i shtuar atë bullizmin e përditshëm. Ndërkohë që vjedhin çdo ditë shqiptarët.



