Fatmir Xhafaj, i cili pritet të miratohet sot në Kuvend si ministër i Brendshëm, foli sot para mediave në cilësinë e kreut të Komisionit për Reformën në Drejtësi. Xhafaj tha se ligjet e reformës në drejtësi do të dërgohen në Kuvend javën tjetër.
Në seancën e së enjtes së ardhshme pritet të dërgohen ligjet me shumicë të cilësuar. “Javën që vjen do të japim detaje të hollësishm lidhur me projektligjet që do të shkojnë për votim”, tha ai.
Xhafaj është dekretuar pak ditë më parë nga presidenti Nishani në postin e ministrit të Brendshëm, pas propozimit të tij nga kryeministri Rama. Pas votimit sot në Parlament, Xhafaj zë vendin e Saimir Tahirit në qeveri, ndërsa Komisioni për Reformën në Drejtësi do të drejtohet nga Vasilika Hysi.



