
Drejtoria e Policisë vendore Durrës ka zbuluar detaje lidhje me arrestimin e ish-drejtorit të IMT, Ardian Halili.
Ky i fundit dyshohet se ka ndërtuar një resort me 11 kabina tip garsoniere dhe pishinë gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës.
Ai u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”, në fshatin Shetaj në Ishëm.
“Në këtë kuadër, strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H. Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.
Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës". Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull”.



