
Pas lajmeve të ditëve të fundit se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndohet në SHBA ku është takuar edhe me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç, ka reaguar vetë kreu i shtetit kosovarë.
Ai aktualisht ndodhet në Uashington me qëllim të koordinimeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se për fazën e re të bisedimeve, ky koordinim është i domosdoshëm.
“Në kuadër të parapërgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që do të ndodhë nesër (të premten), jam në Uashington për të bashkë-koordinuar aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që do të hyjmë në një fazë të re, të rëndësishme dhe i tërë përkushtimi duhet të jetë i koordinuar mirë dhe natyrisht i qartë për sot, por edhe për të ardhmen. Pra, do të jetë një proces që do të hap periudhën e arritjes finale të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon koordinim me të gjithë partnerët dhe miqtë, por adresa kryesore për Kosovën mbetet Uashingtoni”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës ka thënë se ai gjatë vizitës në Uashington do të takohet edhe me Wess Mitchell ndihmëssekretarit amerikan i shtetit, me të cilin do të diskutoj për aktualitetin që e kemi sot, por edhe hapat e mëtutjeshëm.



