Mungesa e mjekëve specialistë në rrethe është një nga problematikat më të mëdha me të cilat përballet sistemi shëndetësor në Shqipëri. Mjekët specialistë çdo ditë po braktisin Shqipërinë dhe edhe më shqetësuese është fakti që këto mungesa vështirë se plotësohen në vijim pasi dhe të diplomuarit e rinj kërkojnë të largohen në kërkim të punësimit në vende të Bashkimit Europian, SHBA apo Kanada.
Sipas të dhënave nga Urdhëri i Mjekut 265 mjekë janë larguar në dy vitet e fundit nga Shqipëria, 32 prej të cilëve specialist brenda këtij viti, më shumë se 125 kanë kërkuar certifikatën që dëshmon sjellje të mirë të mjekut për t’u larguar jashtë Shqipërisë.
Kjo situatë ndjehet më tepër në rrethe, ku nga mungesa e mjekëve në rrethe, qytetarët detyrohen t’i drejtohen kryeqytetit, duke sjellë mbipopullim të spitaleve.
Ky problem duket se është sfida e qeverisë Rama, e cila për t’i dhënë fund këtij problemi ka ndërmarrë një nismë përmes programit të ashtuquajtur sistemi i patronazhimit dhe sistemi i bonusit. Por si funksionon kjo nismë dhe në ç’mënyrë po funksionon kjo politikë e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë? Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli shpjegon për TemA TV.
Po praktikisht si është bërë kjo ndarje e mjekëve në spitale dhe në cilët spitale rajonalë mjekët nga nga Tirana shkojnë në rrethe?!
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, ky sistem patronazhimi ka ulur ndjeshëm fluksin e pacientëve drejt Tiranës.
Rakacolli bën me dije se deri më tani nga programi kanë përfituar 3300 vetë, duke përmbushur në këtë mënyrë nevojat që njerëzit kanë për shërbim spitalor brenda qendrës ku ata banojnë.
Në drejtim të patronazhimit, zv.ministrja Rakacolli përmend si rast suksesi maternitetin e Burrelit.
Por, megjithëse fluksi i pacientëve drejt Tiranës është ulur, pyetja tjetër që shtrohet është se sa përfitojnë realisht njerëzit nga mjekët specialistë në rrethe, në spitalet ku funksionon sistemi i patronazhimit?!
Sipas Lakos, spitali i Sarandës i plotëson deri diku nevojat e tij me mjekë specialistë, por pranon se ka mungesë të një hematologu dhe neurologu, nevoja që mbulohen me sistemin e patronazhimit, si dhe pohon ekzistencën ende në punë të mjekëve që janë pensionistë.
Drejtori i Spitalit të Sarandës bën me dije se spitali që ai drejton ofron shërbim për rreth 130 mijë banorë të pesë njësive administrative, ndërsa pranon se një pjesë e rasteve nuk mund të mbulohen prej tyre dhe për këtë nevojiten bashkëpunime me spitalet e Vlorës apo Gjirokastrës.
Nga ana tjetër, Lako pohon se ka filluar ndërkohë puna edhe për të përballur fluksin e madh të stinës së verës.
Po vetë njerëzit që vijnë për të marrë shërbim mjekësor në spitalin e Sarandës, si ndjehen nga ky shërbim i ofruar dhe a i përmbushin siç duhet nevojat prej mjekëve specialistë?!
Ndërkohë, duke lënë mënjanë spitalin e Sarandës, por duke u fokosuar më gjerë, edhe për spitale të tjerë rajonalë në të gjithë vendin, Rakacolli na shpjegon edhe mënyrën se si funksionon programi i bonusit.
Diçka e tillë është bërë sipas një vendimi që qeveria ka marrë për të rritur masën e shpërblimit që qeveria do t’u japë këtyre mjekëve që shkojnë në zona të largëta të Shqipërisë. Ky bonus, siç është bërë e ditur shkon nga 1 milionë lekë që ka qenë, deri në rrogën e një mjeku në Itali, që kap shumën deri në 2.5 milionë lekë të vjetra.
Rakacolli e cilëson të suksesshëm këtë program, por pranon megjithatë se ky program nuk mund të jetë një zgjidhje e përhershme.
Në një kohë që programi i patronazhit dhe ai i bonusit kanë filluar të vihen në zbatim në të gjithë vendin, diçka tjetër, që në fakt duket se përbën problem me mjekët specializantë, të cilët mendohet se do të zgjidhin përfundimisht problemin e mungesës së mjekëve specialistë në rrethe, është mesatarja e ulët e një pjese të mirë të mjekëve të diplomuar së fundmi. Disa ditë pas rankimit të përgjithshëm të specializantëve në fushën e Mjekësisë, më datë 20 prill u shpallën edhe emrat fitues sipas kuotave të ministrive të linjës. Kështu, referuar rankimit përfundimtar të fituesve, rezulton se si asnjëherë tjetër, këtë vit mesatarja e fituesve është shumë e ulët, për arsye se këtë vit, për herë të parë, ndodh që mesatarja është përjashtuar si kriter për të ndjekur studimet e ciklit të tretë, në Mjekësi. Po cila është arsyeja që senati akademik vendosi heqjen e mesatares për specializimet në mjekësi?
Sipas Xheladin Draçinit, dekan i fakultetit të Mjekësisë: “Standardet shtetërore të cilësisë nuk parashikojnë notë mesatare. Ligji i arsimit të lartë ofron mundësi të barabarta. Nuk ka diplomë të kategorisë A apo B, për ne mundësitë për specializime afatgjata duhet të jenë të hapura për të gjithë”. Në këtë logjikë, për herë të parë po ndodh që me mesatare nën 6.5 të jenë fitues kandidatë për specializim në fusha të rëndësishme, si: Kirurgji, Kardiologji, apo Obstetrikë-Gjinekologji.
Ndërkohë, janari i 2019-ës është momenti kur mjekëve specialistë që iu janë përgjigjur programit të sistemit të patronazhimit të spitaleve rajonale nuk do t’u duhet më të shkojnë në rrethe, pasi në këtë periudhë do të përfundojnë studimet 300 specializantët e parë, të cilët shpresojmë që të jenë të kualifikuar ashtu siç duhet.



