Dëshmitarja e parë për rastin “Thaçi” po jep këtë të enjte dëshminë e saj në Gjykatën Speciale në Hagë. Sikurse herën e shkuar seanca po mbahet me dyer të mbyllura për publikun.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, tortura dhe trajtime mizore në 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Aktakuza përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.
Kujtojmë që ish-krerët e UÇK i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i konsideruar të pavërteta.



