
Partia Socialiste ka nisur punën për përzgjedhjen e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohet në garën për 6 bashki. Në studion e lajmeve të MCN TV, deputeti Arben Pëllumbi tha se do në fund të javës së ardhshme, strukturat në 6 bashkitë në fjalë do të kenë përzgjedhur emrat e kandidatëve.
Ne kemi filluar një mënyrë të re komunikimi me qytetarët. Në të aspekt, kryeministri dëshiron të mbledhë mendime, pavarësisht nëse ata janë apo jo votuesit tanë. Nuk ka rëndësi kush ta jep mendimin. Përsa u përket zgjedhjeve të 6 marsit, ne do të tregojmë seriozitetin e nevojshëm. Sot në të gjitha strukturat tona në këto 6 bashki ka filluar puna për të përzgjedhur emrat që do të prezantohen në fund të javës që vjen. Strukturat e Durrësit dhe Shkodrës kanë nxjerrë disa emra.
Sa i takon 21 janarit, Pëllumbi tha se PS i ka asistuar familjet e viktimave dhe pret drejtësi për ngjarjen nga organet e reja.
Ne jemi të interesuar për vendosjen e drejtësisë në raport me këtë ngjarje. Kemi katër jetë të humbura. Ne u kemi dhënë mbështetje këtyre familjeve. Por duhet të kuptojmë se PS nuk ka në dorë të hetojë dhe të dënojë. PS ka arritur të ndërtojë një sistem të ri drejtësie, që shpresojmë edhe për 21 janarin të thotë fjalën e vet. Ngjarjet vazhdojnë të jenë akoma aty. Ne do ta përkujtojmë 21 janarin. Ata katër qytetarë mbeten dëshmorë për PS-në.



