Gjatë diskutimit për projekt-buxhetin e vitit 2018, me qeverinë dhe deputetët e PS-së, kryeministri Rama tha se shumë shpejt pritet të nisë puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Rama paralajmëroi një fond të veçantë për rrugët e vendit, të cilat në 4 vitet e mandatit të dytë do të përshtaten me standardet europiane dhe do të ndërtohen të reja. Kreu i qeverisë tha se është në hapat e fundit nënshkrimi i kontratës për nisjen e punës për Rrugën e Kombit, e cila në bashkëpunim me qeverinë maqedonase do të kthehet në një rrugë me rëndësi rajonale.
“Ne qeverisëm për 4 vjet, por nuk kuruam dot siç donim plagën e investimeve. Rrugët e lëna rrugëve kanë nevojë për një punë finale që të mbyllen, ashtu si akset kombëtare nga veriu në jug do të përshtaten me standardet europiane. Financim masiv për infrastrukturën e vendit. Rrugët tona nga veriu në jug në 4 vjet të transformohen në mënyrë të qenësishme. Vlen të përmendet për deputetët që kanë bërë përpjekje të vazhdueshme, deputetët e Dibrës se procesi për finalizimin e kontratës së Rrugës së Arbrit është në finalizim. Në 30-45 ditë kontrata finalizon dhe nis puna për të mos u ndalur deri në përfundim. Mbledhja e përbashkët me qeverinë maqedonase do të bëhet në Pogradec, ku do të diskutohet për t’i dhënë kësaj rruge një dimension rajonal”, tha Rama.



