Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha ka replikuar sot në Kuvend me deputetin socialist Pandeli Majko, lidhur me daljen e Shqipërisë nga monitorimi i Këshillit të Europës. Majko tha që ky vendim është marrë ose sepse delegacioni shqiptar ka punuar më shumë se sa duhet, ose ka tradhtuar Basha.
“Shqipëria u hoq nga monitorimi i Këshillit të Europës pas mëse 30 vjetësh. Tani z.Gazi në këtë atmosferë korrupsioni, droge, trafiku, Këshilli i Europës mori një vendim që me thënë të drejtën është tregues që ose kolegët tanë të delegacionit kanë punuar më shumë se sa duhet, ose z.Basha ka tradhtuar më shumë se sa duhet. Z.Basha është thjesht një humor”, tha Majko.
“Të siguroj si anëtar i delegacionit që shqetësimet për Shqipërinë janë dyfishuar. Janë dyfishuar në MoneyVal për pastrimin e parave, janë dyfishuar në Komisionin e Venecias, kur kjo parti shkaktoi krizë kushtetuese. Mos kujtoni se ekspertët e Këshillit të Europës nuk i lexojnë raportet vjetore të SHBA, BE, që të gjitha tregojnë që Shqipëria jo vetëm ka nevojë për monitorim, por ka nevojë dyfish për monitorim”, iu përgjigj Basha.



