
Numri i të vdekurve nga koronavirusi e ka kaluar shifrën 200. Pak orë pasi OBSH-ja shpalli emergjencën globale, autoritetet në Shqipëri garantojnë se ka nisur zbatimi i një plani masash për të parandaluar infektimin e qytetarëve me këtë virus.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, tha sot se puna do të përqendrohet në gjurmimin në kohë reale.
“Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda. Është i nevojshëm që të gjithë strukturat të përforcojnë masat mbi gjurmimin në kohë reale. Kufizimi i lëvizjeve të njerëzve e mallrave nuk do jetë efektiv edhe sipas OBSH ndaj ne do rrisim edhe këshillimin e udhëtarëve drejt Kinës. Jemi vend me risk të ulët ndaj virusit, por kjo s’do të thotë të mos aktivizojmë shkallët e parandalimit, e kemi planin e masave, jemi duke e zbatuar në pikat e kalimit ajror detar e kufitarë”, tha ajo.
Ndërkohë, virusi i rrezikshëm ka mbërritur në vendin fqinj, Itali. Dy raste u konfirmuan mbrëmë në Romë, një zhvillim ky që u raportua nga vetë kryeministri Giusepe Conte në një konferencë shtypi.



