Deputeti Plarent Ndreca është nën hetim për akuzën e abuzimit me tendera. Hetimi lidhet me rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Në studion e MCN TV, Faik Basha, ish-drejtor burgu, tha se përgjegjësia e tij në këtë rast është e qartë, sepse asgjë nuk bëhet pa dijeninë e sekretarit të përgjithshëm.

Shkelja që ka bërë zoti Ndrecaj është e madhe. Kostoja për rikonstruksionin e godinave është rritur fiktivisht. Nga ajo që ka parë KLSH, kostoja ka qenë shumë më e ulët. Ta japësh tenderin dhe të kërkosh që firma që e ka fituar të futet në të është absurde.

Janë mbaruar punimet dhe KLSH e ka gjetur punën e mbaruar para se të bëhej tenderi. Ka qenë shkelje shumë e madhe që ata e kanë çuar në SPAK. Asgjë nuk kalon pa dijeninë e sekretarit të përgjithshëm. Po hetohet si është bërë ai tender.

Basha u ndal edhe te tenderat për uniformat e policisë.

Është një uniformë që i ka kushtuar kompleti 3600 euro. Janë firma ndërkombëtare që merren me sasi të mëdha dhe një nga më të mirat e nxjerr me kosto 1200 euro. Ne na ka vajtur një kapele e punonjësit të policisë 350 euro. dy herë është hedhur tenderi i uniformave dhe nuk është përfunduar. 3600 euro një uniformë nuk e ka as Armani. Sipas KLSH është shtuar disa herë vlera reale.

Basha shtoi se edhe në rastin e Ndrecës do të ndiqet e njëjta praktikë arrestimi me ato të deritanishmet.

Ndreca do ta japë dorëheqjen dhe pastaj do thuhet u arrestua një ish-deputet. Kjo ndodh se drejtësia është me regji. Drejtësia merr miratim paraprak. Se një drejtësi që nuk pyet e arreston ministrin në zyrën e vet, kryetarin e bashkisë në zyrën e vet.

Ai shtoi se ka dyshime të forta që kompjuterat që provojnë skandalin 5D në Bashkinë e Tiranës janë nxjerrë nga institucioni për të zhukur gjurmët.

Dje kanë dalë foto ku një pjesë e mirë e kompjuterave në bashkinë e tiranës janë ngarkuar në makina dhe janë nxjerrë nga institucioni. 12 drejtorë janë hequr. Disa janë në burg. Kompjuterat që dalin nga bashkia nuk janë rastësi.