
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë, ku u ndal gjerësisht te procesi i integrimit europian dhe ndikimi i tij i drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, veçanërisht të studentëve dhe të rinjve që synojnë arsimim dhe karrierë në Bashkimin Europian.
Rama theksoi se anëtarësimi në BE do të sjellë një transformim thelbësor për të rinjtë shqiptarë, duke u garantuar atyre të drejta të barabarta me bashkëmoshatarët europianë në arsim, shërbime dhe tregun e punës.
Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë. Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës.
Sipas tij, integrimi nuk është thjesht një proces formal, por një ndryshim i thellë në raportin mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera europiane, që prek drejtpërdrejt mundësitë individuale të çdo të riu.
Në fjalën e tij, kryeministri u shfaq optimist për momentin aktual që po kalon vendi, duke e cilësuar si një periudhë të favorshme historike.
Kurrë më parë Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Janë bashkuar të gjitha yjet për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve.
Rama nënvizoi se anëtarësimi në BE nuk është “rruga drejt parajsës”, por një garanci reale për më shumë siguri, barazi para ligjit dhe mbrojtje nga sfidat historike.
Duke folur për procesin e negociatave, ai hodhi poshtë çdo pretendim për ngadalësim, duke shpjeguar mekanizmin e vendimmarrjes në BE dhe sfidat që ka kaluar Shqipëria deri më tani.
Ne jemi propozuar 3 herë për të hapur negociatat dhe 3 herë jemi refuzuar. Sot dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet.
Ai theksoi se vendi ndodhet në një moment kyç, ku duhet të shfrytëzojë maksimalisht hapjen e procesit për të avancuar drejt anëtarësimit.
Në përmbyllje, Rama u ndal edhe te domethënia e aspiratës europiane të shqiptarëve, duke e lidhur atë me garantimin e lirive dhe funksionimin e institucioneve.
BE është fuqia e institucioneve dhe garancia më e madhe që ka një popull për të mos përjetuar situata tragjike apo poshtëruese.



