
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, ka shpjeguar arsyet se përse e kishte vendosur sot mbledhjen me Këshillin Bashkiak.
Sot ishte vendosur mbledhja me Këshillin Bashkiak të Vlorës. Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, përmes një postimi në Facebook ka shpjeguar arsyen pse kishte vendosur datën 29 për mbledhjen pasi siç ai njofton e kishte të pamundur ta zhvillonte në ditën e kërkuar nga Këshilli, 30 qershor.
Megjithatë duket se nuk është arritur në një dakordësi mes palëve, pasi Këshilli Bashkiak nuk është paraqitur, ndërsa Leli nënvizon se nuk e kupton ngutjen e Këshillit për zhvillimin e seancave në teatër.
Ndër të tjera ai thekson se u përpoq dhe shpresoi se do ta realizonin mbledhjen e sotme, në pamundësi për ta kryer atë gjatë ditëve në vazhdim.
I kisha kërkuar Këshillit Bashkiak që ta zhvillonim sot mbledhjen e radhës, atë që u pezullua po prej këshillit, megjithëse e planifikuar prej tij, dhe u shty pa rënë dakord, për në datën 30. 06. 2021. E gjithë kjo, shpalos një situatë jo normale dhe jashtë funksionit të këshillit të bashkisë, megjithatë, për shkak të një axhende të programuar kohë më parë, nuk e kam të mundur të jem pjesë, siç i njoftova! Do doja të isha i pranishëm, duke i qëndruar të gjitha pikave që kërkohen, siç do doja që kjo mbledhje të ishte zhvilluar më parë, në datën e paracaktuar, për të mos zvarritur jo vetëm nevojat ekonomike të familjeve e fëmijëve në nevojë, por edhe për të proceduar me pompat e ujit që ndërkohë mund të ishin blerë dhe komunitet e Vlorës, Nartës e Zvërnecit, t’iu ishin afruar zgjidhjeve që kërkojnë. Personalisht, nuk e kam kuptuar ende arsyen e këmbënguljes së vazhdueshme për të krijuar mizanskena në teatër, kur gjithçka ka funksionuar më së miri, siç të gjithë e dini, online. Forma mund të jetë e rëndësishme për të krijuar karaktere e realitete imagjinare, por në atë që ne bëjmë dhe duam të arrijmë, vendndodhja nuk ka pasur asnjëherë rëndësinë e përmbajtjes! Sidoqoftë, u përpoqa dhe shpresova se do ta realizonim mbledhjen e sotshme, në pamundësi për ta kryer gjatë ditëve në vazhdim. Promovimi dhe zhvillimi i Vlorës, bashkë me programet e qeverisë, në të gjitha sferat ku mund të afrohet me zhvillimin e vendeve të rajonit, është programi im i çdo dite. Uroj që të kemi të njëjtin qëllim sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndihmuar qytetin!



