Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme, Anitta Hipper, theksoi se Bashkimi Evropian nuk komenton deklarata individuale, por nënvizoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.
"Nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë, justifikim apo avokim të pastrimit etnik", deklaroi Hipper.
Sipas saj, deklarata të tilla bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian, si dinjiteti njerëzor, pajtimi, llogaridhënia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
"Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti në rajon", shtoi ajo.
Hipper theksoi gjithashtu se deklarata të tilla bien në kundërshtim edhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Deklarata e Paunoviq u bë gjatë një interviste për televizionin serb Kurir, ku ajo tha se, po të kishte qenë në vend të Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Më pas ajo sqaroi se nuk nënkuptonte likuidimin e shqiptarëve, por largimin e atyre që, sipas saj, nuk ndiheshin qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe u dënua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Në një reagim të publikuar sot, Paunoviç deklaroi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj politike dhe se mbetet besnike ndaj politikës së Partisë Socialiste të Serbisë, ku mban postin e nënkryetares.
Ndërkohë, kryetari i kësaj partie dhe njëherësh ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cilësoi kritikat ndaj Paunoviçit si "të turpshme dhe hipokrite", duke pretenduar se komuniteti ndërkombëtar ka heshtur për, sipas tij, "spastrimin etnik të serbëve nga Kosova".



