
Çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet. Këtë e ka konfirmuar Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila pas mbledhjes së qeverisë ka njoftuar dy akte të miratuara në Këshillin e Ministrave për të adresuar krizën energjetike që Shqipëria e ka shpallur prej 8 tetorit dhe do të zgjasë deri në prill të 2022.
"Qytetarët të kenë kujdes në zonat ku banojnë. Moti do të përkeqësohet në të gjitha zonat e Shqipërisë. Ne kemi kaluar 2 akte shumë të rëndësishme. I pari për një ndryshim të di9sa indikatorëve të OSHEE, që kanë të bëjnë me tërmetin e 26 nëntorin, më pas me pandeminë dhe padyshim me krizën energjetike. Gjithashtu vendim edhe në drejtim të lehtësimit të pasojave të krizës energjetike. Akti i dytë që është edhe akti më i rëndësishëm i kaluar për sot që prek të gjithë qytetarët. Theksoj faktin që nuk do ketë rritje të çmimit të energjisë. Këtë qeveria e ka siguruar që në muajin Tetor.
Sot kemi kaluar një ndryshim në projekt vendimin për kushtet e vendosjes së detyrimit publik gjatë gjendjes së emergjencës. Sot kemi bërë ndryshime të rëndësishme për të adresuar këtë krizë energjetike. Qëllim është mirë koordinimi mes operatorit të shpërndarjes me ndërmarrjet që ai ka. Shoqëria KESH ka detyrimin e furnizimit publik dhe duhet të furnizojë me energjinë e plotë. Sipas çmimit për njësitë energjisë elektrike. KESH detyrohet të prodhojë dhe dorëzojë aq sa është sasia mesatare për vit duke konsoliduar që çmimi për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla do të mbetet pa ndryshuar.
Nevojitet marrja e masave shtesë nga KESH të cilat do të ndihmojnë në plotësimin e sasisë së nevojshme. Në ditët në vazhdim do kemi edhe shtime të tjera si një park fotovoltaik në Vaun e Dejës. KESH i vihen në dispozicion mekanizmat ligjorë”, tha Balluku.
Nga ana tjetër zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se për këtë vit është rritur me 7 miliardë lekë financimi për Rindërtimin me qëllim për të përshpejtuar këtë proces.
“Sot kaluan një grup vendimesh për rindërtimin të cilat bëjnë avancim të konsiderueshëm të financimit për bashkinë e Tiranës dhe për të 10 bashkitë e tjera. Llogaria e rindërtimit pra i gjithë fondi i rindërtimit kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë.”, u shpreh Ahmetaj.
Po ashtu i është hapur rruga dhe nisjes së ndërtimit të bazës së NATO-s në Kuçovë, e cila do të jetë e para bazë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se punimet fillojnë në ditët e para të janarit dhe theksoi se shpronësimet do të kryen pa vonesa dhe sipas vlerës së tregut.
"Në ditë e para të janarit do të vendosim guri e parë të bazës taktike të Kuçovë, bazë taktike e NATO-s. Një vendim i mirë dhe për familjet që preken nga shpronësimet sepse dua t'i siguroj që do shpronësohen sipas vlerës së tregut dhe pa asnjë vonesë. Ky është një zhvillim, mbi 50 mln euro investim, punësim për të gjithë zonën për rreth. Është lajm i mirë për sigurinë e rajonit pasi do kemi bazë taktike ajrore të NATO-s që do të thotë siguri për sot dhe për nesër. Pas përfundimit të shpronësimeve do fillojmë punën për ndërtimin e bazës ajrore të Kuçovës", tha Peleshi.



