Drejtori i policisë së Lezhës Vehbi Bushati është shkarkuar nga detyra.
Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë, deklaratën e kontrollit të figurës dhe formularin e vlerësimit të aftësive profesionale.
Njoftimi: Subjekti i Vlerësimit Z. Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të Pasurisë, deklaratën e Kontrollit të Figurës dhe formularin e Vlerësimit të Aftësive Profesionale;
Për këto arsye Trupa e Vlerësimit e Agjencisë Mbikëqyrjes Policore, bazuar në nenin 32, pika 3, nenin 36 pika 1.1, nenin 44 pika 1.1, të ligjit nr.12/2018 "Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme", i ndryshuar,
V E ND O S I
1. Largimin nga pozicionet e përcaktuara në nenin 6 të ligjit 12/2018, i ndryshuar, të subjektit të vlerësimit, z.Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
2. Vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet Subjektit të Vlerësimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit brenda 15 ditëve nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.
3. Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Mbikëqyrjes Policore, në përputhje me pikën 8, të nenit 56, të Ligjit 12/2018, i ndryshuar.
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 45 ditëve nga data e njoftimit, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Ky vendim u shpall sot më datë 24/05/2023, në Tiranë



