Kryeministri i Tailandës tallet hapur me gazetarët, reagon Human Rights Watch (FOTO)

Kryeministri i Tailandës tallet hapur me gazetarët, reagon Human Rights Watch (FOTO)

Kryeministri i Tailandës, Prayuth Chan-ocha, i njohur për temperamentin shpërthyes, ndjek një taktikë unike me anë të së cilës shmang përgjigjen pas pyetjeve të vështira që i drejtojnë gazetarët. Ai u lë atyre foton e vet me përmasa reale dhe duke ikur u thotë: Pyesni këtë.

Ky veprim është kritikuar nga Human Rights Watch, e cila është shprehur se ky veprim tregon përçmimin që ka për kritikat e medias shefi i juntës ushtarake të një vendi që duhet të punojë për të rikthyer demokracinë pas grushtit të shtetit të vitit 2014.

Të shtunën, në Ditën e Fëmijëve, rreth selisë së qeverisë që ai drejton u vendosën 17 fotografi të tilla, të cilat e tregojnë  kryeministrin në poza të ndryshme, me veshje joformale.

Ndërsa të hënën, në një konferencë me gazetarët në Kryeministri, para se të mbaronte fjalën ai, në sallë u soll një foto e tij me përmasat reale. “Pyeteni këtë tipin tani”, u tha ai gazetarëve.

Reagimet në rrjetet sociale lidhur me këtë episod u censuruan, por Humans Rights Watch u shpreh se  ai ishte një tjetër “reagim tallës me gazetarët në listën e shumë të tillëve”.

“Lideri i juntës tailandeze, gjenerali Prayuth Chan-ocha vijon të tregojë përçmim ndaj kritikave dhe të medias”, i tha agjencisë “Reuters” Sunai Phasuk, studiues i HRW në Tailandë.

Në vitin 2015, ai i kërcënoi gazetarët se e kishte pushtetin për t’i ekzekutuar. Ndërsa në një rast tjetër, ai i gjuajti një gazetari me lëkurë bananeje.

Qeveria e Prayuth-it ka njoftuar se në nëntor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, pasi i ka shtyrë disa herë. Megjithatë, asaj i mbetet detyrë heqja e një vendimi që ndalon fushatat politike. “Edhe kur junta premton se do të mbajë zgjedhje, nuk ka hapësirë për lirinë e medias”, thotë eksperti i HRW.

Dita e Fëmijëve festohet çdo vit në Tailandë në të shtunën e dytë të janarit. Fëmijëve u lejohet të pozojnë me armët dhe tanqet e ushtrisë si dhe mund të ulen në tavolinën e punës së kryeministrit.   / Reuters / Përgatiti: Gazmira Sokoli /

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy