Një ekip kërkimi dhe shpëtimi gjeti 18 persona të vrarë nga rrëshqitjet e dheut në ishullin Sulawesi të Indonezisë dhe janë ende në kërkim të dy të zhdukurve, njoftuan zyrtarët vendas të hënën.
Ekipet e shpëtimit gjetën rreth 14 trupa në fshatin Makale të dielën pasdite dhe katër në Makale të Jugut, tha Mexianus Bekabel, shefi i Kërkimit dhe Shpëtimit Makassar.
“Jemi ende në kërkim të dy viktimave të tjera, por mjegulla dhe shiu e vështirësuan kërkimin, teksa dhe oficerët në terren u mbingarkuan,” tha të hënën Sulaiman Malia, shefi i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive të distriktit Tana Toraja.
E rrëshqitur nga shiu i rrëmbyeshëm, balta u derdh nga kodrat përreth në katër shtëpi pak para mesnatës së të shtunës në rrethin Tana Toraja të provincës Sulawesi Jugor, tha shefi i policisë lokale Gunardi Mundu.
Ai shtoi se një mbledhje familjare po mbahej në një nga shtëpitë kur goditi rrëshqitja e dheut.
Dhjetëra ushtarë, policë dhe vullnetarë iu bashkuan kërkimit në fshatrat e largëta të kodrave të Makale dhe Makale të Jugut.
Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin gjatë së dielës dy të plagosur, përfshirë një vajzë 8-vjeçare, dhe i dërguan me urgjencë në një spital aty pranë.
Linjat e shkatërruara të komunikimit, moti i keq dhe toka e paqëndrueshme po pengonin përpjekjet e shpëtimit, tha Muhari.
Tana Toraja ka shumë atraksione turistike të njohura, duke përfshirë një shtëpi tradicionale dhe statuja prej druri të trupave të varrosur në shpella, të njohura si tau-tau.
Reshjet sezonale shkaktojnë rrëshqitje të shpeshta dheu dhe përmbytje në Indonezi, një zinxhir prej 17.000 ishujsh ku miliona njerëz jetojnë në zona malore ose fusha pjellore të përmbytjeve.



