Pak ditë më parë, aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi vizitoj zyrën e kryeministrit Rama dhe atë të kryebashkiakut Veliaj, në kuadër të xhirimeve për realizimin e një dokumentari për Shqipërinë. Vizita e tij në Tiranë u paralajmërua që në shtator nga Kryebashkiaku Veliaj gjatë një takimi me sipërmarrës të huaj.
Teksa Veliaj i dhuroi Jim-it simbolin e Tiranës, një suvenir me kullën e sahatit, Jim Belushi i dhuroi atij një bluzë me mbishkrimin Belushi`s Farm. Por cili është mesazhi i koduar që Jim Belushi fsheh pas bluzës me këtë mbishkrim?
Belushi`s farm, shqip ferma e Belushit, njihet si ferma e tij në rajonin perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo merret me kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Kultivimi i kanabisit në fermën e Belushit, realizohet në sera. Pak muaj më parë qeveria shqiptare, hodhi për shqyrtim draftin e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë për kultivimin e kanabisit mjekësor dhe industrial në vendin tonë.
Drafti përcakton se kanabisi për qëllime mjekësore dhe industriale do të kultivohet në sera. Kjo nismë sipas qeverisë, u përkrah nga 61% e shqiptarëve që u pyetën në Këshillimin Kombëtar. Ligji pritet të kaloj shumë shpejt për miratim në parlament.
Por në fakt Jim Belushi duket se do të jetë i dyti, në listën e personave të interesuar për hapjen e fermave të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, pas ish deputetit Koço Kokëdhima. Ky i fundit ishte i pari që hodhi idenë e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore në vendin tonë.
Në fund të fundit, një fermë kanabisi në emër të Jim Belushit, për politikën dhe 61% të shqiptarëve që e duan këtë, do të ishte një super promovim i Shqipërisë, pas punës që pritet të bëjnë satelitët për zbulimin e parcelave me drogë, të cilat sidoqoftë duhen zhdukur përpara procesit të legalizimit.



