
400 milionë euro do të investohem për rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës, të goditur nga pandemia e koronavirusit. Kjo shifër ka dalë sot pas takimit virtual mes qeverisë së Kosovës dhe Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike. Në këtë takim prezent ka qenë edhe kryeministri Avdullah Hoti si dhe ministrja e Financave Hykmete Bajrami.
Një shifër e konsiderueshme e cila është mbledhur përmes donatorëve të disa projekteve, përkrahjes së buxhetit të Kosovës dhe huave për investime. Bëhet me dije se synimi është që të ndahet për periudhën e mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
“Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat”,- është thënë në njoftim.
Në këtë takim, si pjesë e Forumit, ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se ‘luftimi i pandemisë me koronavirus është detyrë e çdo qytetari, pavarësisht pse duhet drejtuar nga qeveria’.
“Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë,”- ka deklaruar Kosnett.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave thanë se sektori privat do të jetë në fokus të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2020 -2023, të cilën është duke e rishikuar Qeveria e Kosovës, në mënyrë që t’i ndihmojë bizneset, për t’u rikuperuar nga humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë COVID-19, raporton Radio Europa e Lirë.
Kosova është një nga shtetet e Ballkanit që pandemia e COVID-19 e ka sulmuar ashpër pasi që prej fillimit të saj pasi kanë rezultuar pozitiv me koronavirus13,100 persona, ndër të cilët 499 kanë ndërruar jetë.



