Rrogozhina voton për herë të dytë për zgjedhjen e kryebashkiakut, pas anulimit të zgjedhjeve të 14 Majit. Gazetari i MCN Tv, Andon Kello duke raportuar nga Rrogozhina deklaroi se deri në orën 14.00 pjesëmarrja në votimie është 29.85% ose 9009 votues, thënë ndryshe rreth 5% më e lartë se në 14 Maj. Shumica e shtabit të opozitës është fokusuar në njësinë administrative Lekaj, ku ka pasur prani të madhe njerëzish pranë Qendrave të Votimit, të cilët janë parë si formë presioni ndaj qytetarëve nga ana e opozitës. Kello raportoi se në Qendrën e Votimit 2322, ku ka votuar kandidati socialist Edison Memolla ka pasur fotografim të fletës së votimit. “Aty ka pasur debat dhe tension mes komisionerit të opozitës dhe operatores. Është kërkuar dhe bllokimi i votimit i cili u bllokua për 40 minuta. Me prezencën e deputetit socialist Etien Xhafaj dhe atyre demokrat Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, situata është qetësuar.” Ndër të tjera Kello bëri të ditur se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj si drejtues politik i qarkut, nuk ka qenë prezent në Rrogozhinë. Ditën e sotme qytetarët e Rrogozhinës të rivotojnë për zgjedhjen e kryebashkiakut pasi Kolegji Zgjedhor shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit. Zgjedhjet e sotme kanë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun mes socialistit Edison Memolla dhe kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.



