
Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës. Në fjalën e tij, kreu i socialistëve u shpreh se skuadra “PS2021” është në vrapim drejt 25 prillit për objektivin, 20 deputetë në zgjedhjet parlamentare.
“Përshëndetje të gjithëve, sot jemi këtu për të bërë prezantimin e skuadrës së Tiranës, në vrazhdën që i paraprin çeljes së fushatës elektorale në 25 prill. Ne kemi vënë përpara zgjedhësve të qarkut të Tiranës, një skuadër që është në lartësinë e pritshmërisë së publikut, të të gjitha moshave, të të gjitha kategorivë, për të pasur një zgjedhje e cila në bazë të sistemit të ri zgjedhor, nuk është vetëm një zgjedhje për partinë në veçanti por edhe për një kandidat apo një tjetër”
Edi Rama vlerësoi dy udhëheqëset e listës së Tiranës, Luljeta Bozon dhe Najada Çomon.
“Luljeta me Najadën nuk janë zgjedhje të rastësishme. Cfarë do të kishim bërë, si do të mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë. Është e paimagjinueshme ta mendosh që cfarë mbështetje, përkujdesje, mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor, për t’u qëndruar mjekëve, infermierëve dhe sallat e reanimacionet nëse virusi do të kishte zbritur disa vite më parë, kur sistemi ynë ishin në një gjendje, të thuash e mjerueshme është pak.
Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti”.
Por përse i duhet PS-së një mandat i tretë? “Një mandat të tretë që i duhet patjetër vendit për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm cdo proces transformimi dhe për të mos përsëritur historinë, që në më shumë se një rast ka treguar se kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh, gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur” tha Rama.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetët në qarkun e Tiranës, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek procesi i vaksinimit, për të cilin theksoi se do të fuqizohet përmes marrëveshjeve.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se objektivi për të vaksinuar të gjithë popullatën, do të përfundojë në pranverën e ardhshme.
“Me procesin e vaksinimit që do të vazhdojë të intensifikohet falë disa marrëveshjeve që kemi në proces. Jam i bindur që ne do ta bëjmë këtë sezon turistik më të lehtë. Mbetemi të bindur dhe optimist dhe objektivi për të përfunduar të gjithë vaksinimin në pranverën e ardhshme, është i arritshëm dhe ne do ia dalim që ta realizojmë.”

Gjatë prezantimit pas dy zonjave ministre Ogerta Manastirliu dhe Etilda Gjonaj, Rama ka kërkuar t’ia japë fjalën ministrit për Diasporën Pandeli Majko.
Rama tha se në emër të atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë ka zgjedhur të flasë më i riu prej tyre që është Pandi dhe që merion të ketë gjithë mbështetjen se është i 19-ti.
“Do doja që në emër të të gjithë atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë sepse kanë prej disa vitesh që janë në këtë arenë, të flasë më i riu prej tyre që është Pandi, i cili meriton në fakt të ketë gjithë mbështetjen tonë se është dhe i 19-ti dhe është në atë zonën e rrezikut, kështu që me të gjithë atë solidaritetin për Pandin që është i 19-ti, unë po i jap fjalën dhe për një arsye tjetër, sepse duke qenë që pas meje, Pandi është i dyti që ka marrë gjithçka nga PS-ja dhe për këtë ai është i vetëdijshëm siç jam dhe unë i vetëdijshëm, është treguar shumë i gatshëm t’i përgjigjet asaj që është kërkesa e natyrshme e kësaj beteje, të jetë veçanërisht aktiv në këtë fazë të ndeshjes, kur faktikisht fillon zyrtarisht fushata për pak ditë dhe kur sigurisht ne duhet të jemi shumë të pranishëm jo vetëm në territor dhe komunikimin e afërt me njerëzit, por edhe në komunikimin publik”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Majko tha se ka një lloj presioni në këto zgjedhje, por jo ngaqë është i 19-ti, por nga pesha e përgjegjësisë që ka çdokush nga kandidatët.
“Në emër të të gjithë kolegëve kam një lloj presioni në këto zgjedhje, por ky presion nuk vjen nga fakti që jam numri 19 në listë, por vjen nga pesha e përgjegjësisë që e ka çdokush nga ne. Këtu çështja shtrohet pak më thelbësore, së pari ky ekip nuk është ekip mbijetese, është ekip shprese i cili bën një diferencë shumë të madhe me ekipin që ka përballë. Ekipi përballë një grup njerëzish që përpiqen të mbijeton. Përballë ekipit të mbijetesës ne kemi ardhur pa diskutuar me njëri-tjetrin, se kush është i pari, i dyti, i treti, vija e zjarrit apo vija e sulmit, në thelb jemi një ekip, ku të gjithë bashkë, pavarësisht nëse kanë ardhur ditën e parë, apo kanë këtu prej vitesh mendoj se ia kemi vënë vetes qëllimit se konkurrencën e kemi me kundërshtarët tanë jo me njeri-tjetrin”, deklaroi Majko.



