
Shpërthime masive ndriçuan qiellin e natën mes të shtunës dhe të dielës pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të zmbrapsin përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e qytetit historik, pavarësisht agresionit dërrmues.
Dy shpërthime të mëdha u shënuan rreth Vasylkiv, një qytet i vogël me një aeroport të madh ushtarak dhe pika të shumta karburanti - rreth 30 kilometra, në jug të Kievit.
Shpërthimet vijnë ndërsa forcat ukrainase përfshihen në luftime të ashpra me trupat ruse në qytete të shumta anembanë vendit, ndërsa ukrainasit e zakonshëm dhe rezervistët bashkojnë përpjekjet për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet e tyre kundër akteve të dhunës ruse.
Pas bombardimeve ruse të depove të naftës Vasylkiv në periferi të Kievit, autoritetet e qytetit paralajmëruan se vendi i djegur lëshon tym toksik dhe ftuan banorët, kryesisht të grumbulluar tashmë në strehimore, të mbyllin dritaret e tyre. Zjarri është i dukshëm edhe nga Kievi, rreth 40 km larg. Shërbimet e urgjencës nuk mund të shuajnë flakët për shkak të zjarrit të armikut dhe nga frikë nga katastrofa mjedisore.
Forcat ruse kanë hyrë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh ukrainas, njoftoi kreu i administratës rajonale, Oleg Sinegubov, siç raporton BBC. “Automjetet ushtarake hynë në qytet”, tha Sinegubov.
“72 orë rezistencë! Bota nuk e besoi. Bota dyshoi. Por ne rezistuam dhe vazhdojmë të luftojmë me besim kundër pushtuesit rus! I treguam botës: mos kini frikë nga Rusia, jini të fortë dhe zmbrapseni. Mbështetja për Ukrainën duhet të jetë më e fortë! Siguria juaj varet nga ne!”, shkroi në një postim në Twitter ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, pas një nate tjetër sulmesh ruse, ku pretendohet se u zmbraps armiku.
Akuzat për krime lufte: Tashmë po rriten shqetësimet pasi Rusia mund të kërkojë të vendosë armatim pa dallim në fushën e betejës në zonat civile në një përpjekje të dëshpëruar për të shtypur rezistencën ukrainase.
Të shtunën, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal akuzoi Rusinë për krime lufte, duke thënë se forcat ruse granatuan kopshtet e fëmijëve, blloqet e banimit dhe autobusët me fëmijë.
Megjithëse Rusia ka pretenduar se nuk po synon infrastrukturën civile, një numër i madh provash në terren sugjeron të kundërtën.
Ukraina ka raportuar vdekje të shumta civile, duke përfshirë një djalë gjashtë vjeçar i cili vdiq nga të shtënat me armë zjarri në një lagje perëndimore të Kievit të shtunën në mbrëmje, sipas një spitali lokal.
Një grua u vra pasi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në qytetin lindor të Kharkivit u godit nga “artileria e armikut” të shtunën mbrëma, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
Të shtunën, një bllok i madh apartamentesh banimi në perëndim të Kievit u goditën nga një raketë ruse, pasi banorët në të gjithë qytetin u detyruan të kërkonin strehim pas një nate të tmerrshme të shoqëruar nga të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime.



