Kanadaja paralajmëroi Kinën kundër ndërhyrjes në zgjedhje, gjatë një takimi të rrallë të shefave të mbrojtjes të vendeve, tha të shtunën ministri i saj i Mbrojtjes.
“Ngrita shqetësimin e ndërhyrjes së huaj në të gjitha manifestimet, përfshirë ndërhyrjen në institucionet tona, përfshirë zgjedhjet tona, por edhe veprimet e bashkëpunimit kundër diasporës kineze në Kanada, qytetarëve tanë”, tha ministri i Mbrojtjes Bill Blair për Reuters, duke iu referuar bisedës së tij me homologun kinez Dong Jun.

Agjencia vendase e spiunazhit të Kanadasë tha në prill se Kina kishte ndërhyrë në dy zgjedhjet e fundit siç u zbulua nga një hetim zyrtar për ndërhyrjen në zgjedhje. Megjithatë Pekini i ka mohuar akuzat.
Vitin e kaluar, Otava tha se një ligjvënës konservator me familje në Hong Kong kishte qenë objektivi i një operacioni dezinformimi në internet.
Qeveria dëboi një diplomat të lartë kinez pasi një raport i inteligjencës e akuzoi atë për përpjekje për të vënë në shënjestër ligjvënësit.



