Përpjekjet e Ukrainës për të ngritur një kundërofensivë kundër Rusisë mund "t'i shtojnë benzinë zjarit" në konfliktin mes dy kombeve, paralajmëroi të hënën presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Duke folur për transmetuesin Happy TV, Vuçiç shprehu frikën se përpjekjet e Ukrainës për të shkelur linjat ruse, mund të përshkallëzojnë armiqësitë dhe të shkaktojnë një përgjigje të fortë. “Ukrainasit sapo kanë filluar ofensivën e tyre dhe ajo do të jetë shumë herë më e fuqishme”, tha Vuçiç, duke shtuar se “përgjigja ruse, ndoshta, nëse ata kanë forcën, nuk do të jetë e dobët”. "Kjo do të bëjë që atmosfera të nxehet," paralajmëroi lideri serb, duke argumentuar gjithashtu se shkatërrimi i armëve të furnizuara nga Perëndimi po kontribuon në rritjen e tensioneve. Vuçiç vuri në dukje se Serbia kishte refuzuar t'i bashkohej sanksioneve perëndimore kundër Rusisë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, dhe ka mbajtur me vendosmëri këtë qëndrim që atëherë. Vendi ballkanik, i cili tradicionalisht ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka deklaruar neutralitet në përplasjen mes Moskës dhe Kievit. Megjithatë, Vuçiç ka thënë në shumë raste se qeveria e tij ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm nga Perëndimi për të vendosur sanksione kundër Rusisë.



