Një ditë pas arrestimit të 35-vjeçarit Jetnor Zhaboli i cili mbante të ngujuar në banesë bashkëshorten, vajzën e mitur dhe nënën e tij, fqinjët tregojnë se rrallë i shihnin të dilnin jashtë shtëpisë.
Sipas tyre Jetnori ishte një person i pasjellshëm dhe gjithmonë kanë dyshuar se përse kishte monitorim të theksuar me kamera.
Njëra prej fqinjëve që banon në të njëjtin pallat me familjen, tregon se është ndeshur disa herë në shkallë me 35 vjeçarin i cili nuk përshëndeste, ndërsa shton se bashkëshortja e tij dilte rrallë nga banesa dhe gjithmonë e shoqëruar.
Të tjerë fqinj shprehen për mikrofonin e MCN, se janë të shokuar, që në të njëjtin pallat ku ata banojnë mbaheshin të izoluar nën kërcënim e dhunës, anëtarët e familjes Zhaboli.
Jetnor Zhaboli u arrestua një ditë më parë, pasi mbajti të izoluar familjen, nën monitorimin e kamerave dhe duke përdorur bllokues valësh celulari.



