Pas paralajmërimit të hakerave që sulmuan portalin qeveritar E-Albania se të tjera të dhëna sensitive të qytetarëve do të ekspozohen këtë të diel, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur alarmin se siguria kombëtare është në rrezik teksa ka kërkuar nga qeveria shpalljen e krizës kibernetike.
Siguria kombëtare po rrezikohet si kurrë më parë së fundmi nga sulmi i paprecedentë kibernetik në sistemet qeveritare. Bashkë me to ka rënë siguria e informacionit dhe e jetës pas marrjes së gjithë të dhënave nga hakerat në portalin e-Albania dhe jo vetëm. SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të plotë për tenderat e pafundme të AKSHI-t, të cilat qartazi janë përdorur për t’u pasuruar pushtetarët dhe jo për sigurinë e informacioneve të shtetit dhe qytetarëve.
Teksa ka ngritur shqetësimin e daljes së të dhënave të qytetarëve nga faqja Homelandjustice, eksperti i kibernetikës, Besmir Semaj, thotë se në rast se konfigurimi i rrjeteve të institucioneve ka qënë i gabuar, përgjegjësit duhet të hetohen dhe të dalin përpara drejtësisë.
Deri më tani, qeveria ka qenë e rezervuar mbi sulmin kibernatik të institucioneve qeveritare ndonëse ka mohuar që hakeruesit të kenë ndërhyrë në të dhënat private të qytetarëve edhe pse kanë dhënë garanci vetëm për sistemet e mbrojtjes.
Gjithashtu, nuk ka ende një qëndrim të qeverisë lidhur me kundërofensivën diplomatike ndaj vendeve të dyshuara për sulmin kibernetik.



