“Vetëm Enveri na donte, na bëri me shtëpi!” Me këtë deklaratë të fortë, pjesëtarë të komunitetit egjiptian të Shqipërisë tregojnë plagët që, sipas tyre, prej 34 vitesh demokraci nuk janë mbyllur: varfëria, papunësia, mungesa e strehimit dhe diskriminimi për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Në emisionin “Fol” në MCN TV, banorët dhe Agron Meraj, kryetar i Shoqatës Egjiptiane të Shqipërisë “Drita”, denoncojnë një realitet të dhimbshëm, ku familjet jetojnë me borxhe, të moshuarit nuk përballojnë ilaçet, ndërsa fëmijët detyrohen të mbledhin kanaçe në kazanët e plehrave.
“Rinia ka ikur jashtë vetëm nga diskriminimi i shtetit”, thotë Meraj, sipas të cilit gjysma e të rinjve të komunitetit janë larguar. Ai pretendon se shqiptarët me ngjyrë refuzohen në tregun e punës, ndërsa punëtorët e huaj me ngjyrë po zënë punët më të mira me paga dyfish nga shqiptarët dhe strehim falas.
“Unë punoj në Bashkinë e Vorës dhe marr 45 mijë lekë. Me shkollë të lartë, duhet ta kisha rrogën te 90 mijë lekëshi”, denoncon ai.
Meraj sjell edhe një tjetër shembull nga fabrika ku punon bashkëshortja e tij, ku, sipas tij, punëtorët e huaj paguhen deri në dy ose tri herë më shumë se shqiptarët për punën që bëjnë. Ai thotë se të huajt përfitojnë gjithashtu strehim nga punëdhënësit, ndërsa shqiptarët përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë banesash.
Por drama më e rëndë është ajo e strehimit. Një qytetar tregon se ka aplikuar 20 herë për shtëpi sociale, por ende jeton me qira. Një tjetër e përmbledh dëshpërimin me pak fjalë: “Unë dua strofkën time, të fus kokën”. Ke sot në Tiranë që nuk kanë lekë as për varr nëse ndërrojnë jetë”.
Edhe pensionistët numërojnë lekët për ilaçet dhe ushqimet. “Me 25 vite punë, arrij të marr sot 15 mijë lekë”, rrëfen një 72-vjeçar. “Marr tri ilaçe pa rimbursim, që kushtojnë 7,5 mijë lekë në muaj”. Për të, një pension që garanton jetesën duhet të arrijë në 50 mijë lekë.
Akuzat shkojnë edhe ndaj policisë. Banorët tregojnë për kontrolle banesash pa mandat, ofendime dhe shoqërime në komisariat. Njëri prej tyre pretendon se vajza e tij u dërgua në polici bashkë me dy fëmijët e vegjël, njëri dhe tre vjeç. “U lemeritën fëmijët”, rrëfen ai.
Ndërsa institucionet flasin për shërbime komunitare dhe programe mbështetëse, Meraj ngre një tjetër pikëpyetje: ku përfundojnë fondet për komunitetin egjiptian?
“Nuk kemi marrë asnjëherë asnjë fond si shoqatë”, deklaron ai, duke kërkuar transparencë dhe përgjigje nga qeveria.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thekson nevojën për dialog me organizatat e pakicave dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, ndërsa zëvendësministrja Denada Seferi flet për shërbimet sociale dhe programet në mbështetje të komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Mes deklaratave zyrtare dhe dëshmive të banorëve mbetet një pyetje e fortë: kush përgjigjet për njerëzit që nuk kanë shtëpi, punë dhe mundësi për të jetuar me dinjitet?
“Vëre dorën te komuniteti egjiptian”, i drejtohet kryeministrit Agron Meraj.
“Fol” sjell zërin e një komuniteti që kërkon jo mëshirë, por barazi, strehim, punë dhe zbatimin e ligjit. Sepse dinjiteti nuk duhet të varet nga ngjyra e lëkurës.
