Një mjeke kirurge është nën hetim për mjekim të pakujdesshëm pasi një paciente ndërroi jetë pak minuta pas operacionit të kryer në spitalin e Elbasanit. K.I., 18 vjeçe, mësohet se ka ndërruar jetë më datë 8 korrik, pak pasi kishte dalë nga salla.
Familjarët kanë denoncuar mjeken J.K. për mjekim të pakujdesshëm.
Policia ka nisur ndaj saj procedimin penal në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori për proçedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm" në ngarkim të shtetases J.K., 43 vjeçe, banuese në Elbasan.
Ajo duke qenë me profesion mjeke kirurge në spitalin e Elbasanit, në datë 8 korrik 2017, kreu një ndërhyrje kirurgjikale tek pacientja K.I..
Pacientja K.I, ndërroi jetë pak pas operacionit. Sipas kallëzimeve të familjarëve dyshohet se 18 vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko–ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "Mjekimi i pakujdesshëm" parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal.



