
Një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se një "luftë në shkallë të plotë" në Lindjen e Mesme është e mundur pas sulmeve ajrore që Izraeli kreu kundër Iranit.
Konstantin Kosachev, nënkryetar i Këshillit të Federatës – dhoma e sipërme e parlamentit rus – theksoi se Moska do të qëndrojë në krah të aleatit të saj, Iranit.
“Sjellja e Izraelit nuk mund të justifikohet nga asnjë këndvështrim – juridik, politik, ushtarak apo moral. E vetmja shpresë për të shmangur një luftë të përgjithshme, është një dënim i përbashkët dhe i qartë i këtij veprimi nga bashkësia ndërkombëtare,” u shpreh ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.
Kosachev shtoi se Irani duhet të tregohet i përmbajtur, por theksoi gjithashtu se edhe durimi i tij ka kufij.
“Duhet të shpresojmë për një reagim të matur nga Irani. Gjithmonë duhet të shpresojmë për më të mirën, por nuk mund të injorojmë faktin që çdo vend ka kufirin e tij të durimit.”
Sipas tij, “rrethi vicioz i përshkallëzimit po zgjerohet me shpejtësi.”
“Netanyahu deklaroi se Izraeli ka goditur ‘zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit’. Por në fakt, ka shumë sulme të tjera... dhe gjëja më shqetësuese është se ky nuk është fundi. Një kundërpërgjigje iraniane duket e pashmangshme, ndërsa spirali i përshkallëzimit vazhdon të thellohet,” shtoi ai.
Të premten në mëngjes, Izraeli ndërmori një seri sulmesh ajrore në të gjithë territorin iranian, duke synuar objektiva të ndjeshme bërthamore dhe infrastrukturë ushtarake, në një nga operacionet më të mëdha ajrore në Iran që nga lufta Iran-Irak në vitet 1980.
Sipas mediave shtetërore iraniane, të paktën dy komandantë të lartë ushtarakë dhe disa shkencëtarë të rëndësishëm bërthamorë janë vrarë gjatë sulmeve.
Këto zhvillime përbëjnë një përshkallëzim të rëndë në konfliktin e gjatë mes dy kundërshtarëve të mëdhenj rajonalë, duke ringjallur frikën për një luftë të përgjithshme në Lindjen e Mesme.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka kërcënuar me një “ndëshkim të ashpër” ndaj Izraelit në një deklaratë televizive.
Në Izrael, sirenat e sulmeve ajrore u aktivizuan në të gjitha qytetet si masë parandaluese, për shkak të nivelit të lartë të gatishmërisë, duke theksuar gjendjen e brishtë dhe të rrezikshme që po përshkruan rajonin.



