Lojërat Olimpike në Paris, më të lirat që nga viti 1988

Lojërat Olimpike në Paris, më të lirat që nga viti 1988

Njëqind ditë para hapjes së Paris 2024, kostoja e Lojërave Olimpike kristalizon interesin e mediave franceze.

Nëse nga njëra anë është tejkaluar buxheti fillestar i përcaktuar prej 6.8 miliardë eurosh, nga ana tjetër me 8.8 miliardë të shpenzuara tashmë, edicioni i Olimpiadës në Paris duhet të jetë një nga më pak të kushtueshëm që nga viti 1988.

Që të dihet pikërisht për koston totale të eventit sportiv ndërkombëtar, do të duhet të presim raportin përfundimtar të Gjykatës së Audituesve, jo më herët se vjeshta e 2025-ës.

Sipas një njoftimi të publikuar nga firma e konsulencës Asteres, kostoja e organizimit të Paris 2024 pritet të jetë përfundimisht 11.8 miliardë euro.

Sërish sipas të njëjtit burim, ato do të jenë të tretat më të lirat e 36 viteve të fundit.

Për më tepër, në historinë e fundit, asnjë buxhet olimpik nuk e ka respektuar buxhetin e paracaktuar, prandaj, nga ky këndvështrim, Parisi nuk ka arritur të bëjë më mirë se paraardhësit e tij.

Ndër shembujt e fundit të cituar nga shtypi francez janë Lojërat e Tokios, të prekura nga përkeqësimi i krizës shëndetësore Covid-19 dhe shtyrja e tyre me një vit: sipas Gjykatës Japoneze të Audituesve ato kushtuan 12 miliardë euro, pothuajse dyfishi në krahasim me vlerësim në momentin e aplikimit.

Lojërat Olimpike në Londër, në varësi të vlerësimeve, kushtuan nga 12 deri në 15 miliardë euro. Në Pekin, në vitin 2008, fatura shpërtheu, kryesisht për shkak të kostos së infrastrukturës.

Në Athinë, Lojërat Olimpike të 2004 kushtuan 13 miliardë euro, duke shtuar deficitin e qeverisë greke.

Buxheti i shpenzuar tashmë për Lojërat e Parisit 2024, i ndarë midis Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike (COJO) dhe Societe de livraison des ouvrages Olympiques (Solideo), ishte 8.8 miliardë euro, dy miliardë më shumë se 6.8 miliardë që pritej në 2019.

Fillimisht, buxheti i Komitetit Organizativ ishte 3.8 miliardë euro, më i lartë se 3.2 miliardë euro të parashikuara në dosjen e kandidaturës.

Në fund të vitit 2021, buxheti për organizimin e Lojërave ishte 3.98 miliardë euro. Një vit më vonë, në fund të 2022, ajo ishte rritur në 4.38 miliardë euro, një rritje prej 10% për shkak të inflacionit.

Sakaq Komitetit Organizativ i Lojërave Olimpike mbështetet në fondet private nga sponsorët 1.24 miliardë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar 1.2 miliardë dhe shitjet e biletave 1.4 miliardë.

Për sa i përket infrastrukturës, pritej gjithmonë që ato të paguheshin nga financat publike: ky është Fshati Olimpik, i cili do të shndërrohet në shtëpi për t’u hedhur në treg 646 milionë euro, nga të cilat 542 milionë nga shteti, vendkalimi midis Stade de France dhe qendrës ujore olimpike, pishinat e reja të Seine-Saint-Denis.

Nëpërmjet Societe de livraison des ouvrages Olympiques (Solideo), e cila ka një buxhet total prej 4.4 miliardë eurosh, u destinuan pothuajse 1.8 miliardë euro para publike midis shtetit, rajonit Ile de France, Parisit, Seine-Saint-Denis për Olimpiadën.

Shpenzimet e tjera të pa llogaritura ende do të zbulohen pas Lojërave, Pierre Moscovici, president i Gjykatës Franceze të Auditorëve, e kishte vlerësuar investimin publik përfundimtar në tre miliardë euro.

“Tre, katër apo pesë miliardë euro. Do ta dimë pas Lojërave”, saktësoi Moscovici.

“Nuk ka asnjë arsye pse duhet të jetë pesë miliardë”, u përgjigj ministrja e Sporteve Amelie Oudea-Castera, e cila këmbënguli se “nuk ka lëvizje buxhetore apo kosto të fshehura”.

Një raport nga Gjykata Franceze e Audituesve, që pritet në vjeshtën e vitit 2025, do t’i përgjigjet zyrtarisht dhe në mënyrë transparente të gjitha këtyre vlerësimeve dhe spekulimeve për koston e Parisit 2024.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy