Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë për televizionin grek “ERT” shprehet se dialogu me fqinjët do të konkludojë në zgjidhjen e të gjithë çështjeve të mbartura.
Kreu i diplomacisë shqiptare, teksa ka folur pas përfundimit të takimit të dytë ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në Selanik, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Energjisë, është shprehur se tashmë janë identifikuar problemet dhe po punohet nga të dyja palët për zgjidhje.
Çështje e ligjit të Luftës së Greqisë me Shqipërinë që nga lufta e dytë botërore, kufiri detar, varrezat për të rënët në luftën e dytë botërore janë pjesë e diskutimit për të marrë rrugën e zgjidhjes.
Bushati nuk ka munguar që të nënvizojë faktin se dhe vajza e tij ka emrin e një perëndeshe greke dhe si kryediplomat e ka të vështirë t’ia shpjegojë çdo herë se përse ka ligj luftë të mbartur që nga lufta e dytë botërore mes Greqisë dhe Shqipërisë.



