
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk është aspak i kënaqur me vendosjen e marrdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, pasi kjo e fundit njohu pavarësinë e vendit. Për Pink TV Vuçiç tha se kjo ishte një gjë e pritshme, ndërkohë që si veprim do të dëmtojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Izrealit.
“Kjo ka qenë e pritshme prej gjashtë muajsh. Për këtë arsye ne në Uashington (më 4 shtator 2020) nuk kemi dashur të nënshkruajmë një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk kemi dashur të inkurajojmë, por të dekurajojmë që Izraeli të bëj një veprim të tillë, por ja që Izraeli vendosi që Amerika është më e rëndësishme,”- tha Vuçiq për Pink TV.
Këto komente presidenti Vuçiç i bëri pas një takimi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris.
Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Sipas Vuçiç pas vendosjes së marrëdhenieve diplomatike me Izraelin asnjë vend mysliman nuk do ta njohë më pavarësinë e Kosovës.



