
Pas një gjyqi pesëvjeçar, një anëtare e një bande neo-naziste është shpallur fajtor për 10 vrasje me motive racore.
Beate Zschäpe ishte e pandehura kryesore në gjyqin për vrasjen e tetë turqve, një shtetasi grek dhe një polici në mes të viteve 2000 dhe 2007. Ata kanë kryer edhe dy sulme me bomba në Këln, ku ka pasur dhjetëra të plagosur.
Lidhja me vrasjet e kryera u zbulua vetëm rastësisht në vitin 2011, pas një grabitjeje të shkaktuar që më pas çoi në zbulimin e grupit neo-nazist.
Me këtë vendim historik, gjykata mori parasysh kërkesën e prokurorisë që Zschäpe të konsiderohet si bashkëfajtore në vrasjet e organizatës “Ilegaliteti Nacionalsocialist”. Ndërsa i bashkëakuzuari Ralf Wohlleben është dënuar për sigurimin e armëve për organizatën, me 10 vjet heqje lirie.
Zschäpe ndau një banesë në qytetin lindor të Zwickaut me dy burra, të cilët vdiqën pas një pakti vetëvrasës. Trupat e Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt u gjetën në një makinë të djegur të përdorur në grabitje.
Deri tani nuk është ofruar ndonjë dëshmi që Zschäpe ka qenë në ndonjë prej këtyre vendeve ku janë kryer krimet. Por prokuroria ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se Beate Zschäpe i ka “ditur të gjitha për këto krime, ka qenë bashkëkoordinatore dhe ka bashkvepruar gjatë vrasjeve”.
Megjithatë, mbrojtja e Beate Zschäpe ka kërkuar lirimin e saj nga akuzat për vrasje dhe sulme me bomba.
Duke folur përpara vendimit, avokati mbrojtës i Zschäpe tha se do të apelonte kundër çdo dënimi të përjetshëm.
Gjatë gjykimit, Zschäpe mohoi se ka marrë pjesë në vrasje, por tha se ajo ndihej fajtore për shkak se nuk bëri shumë për t'i ndaluar ato.
Zschäpe, Mundlos dhe Böhnhardt kishin formuar një celulë të quajtur NSU (National Socialist Underground).



