Kina mbështet plotësisht Organizatën Shëndetësore Botërore (OBSH) për rolin kryesor që luan agjensia e OKB-së në koordinimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë së re të koronavirusit (Covid-19), është shprehur Zhang Jun, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara në një letër drejtuar presidentit të seancës së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Tijjani Muhammad-Bande, Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres dhe përfaqësuesve të përhershëm të Shteteve Anëtare.
Zhang kujtoi se Presidenti Kinez Xi Jinping kohët e fundit zhvilloi biseda telefonike me Guterres dhe udhëheqës nga vende të tjera, dhe arriti një konsensus të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë.
Zhang tha se OBSH-ja "luan një rol vendimtar" në përgjigjen ndaj epidemisë, njofton “Ansa”.
"Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, OBSH-ja ka një pozicion të bazuar në shkencë, objektiv dhe të paanshëm dhe ofron udhëzime dhe ndihmë aktive për vendet në mbarë botën, duke dhënë kontribute të rëndësishme në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër epidemive", tha ai.
“Kur shpërtheu epidemia, Kina e informoi menjëherë OBSH-në, duke ndarë përvojën e saj me koronavirusin pa asnjë rezervë për bashkësinë ndërkombëtare", tha ndër të tjera ambasadori.
Zhang tha se Kina i ka dhuruar 20 milionë dollarë OBSH-së për të mbështetur përpjekjet globale në luftën ndaj sëmundjes.



