Inspektorati i Mbrojtjes se Territorit pranë Bashkisë Tiranë ka shpallur tenderin me objekt “Marrje me qira e mjeteve të transportit”, me fond limit 375 milionë lekë, për marrjen me qira të 12 automjeteve elektrike për një periudhë tre vjeçare.
Vlera për njësi e një makine elektrike me qira rezulton 31.2 milionë lekë.
Kjo vlerë është gati e barabartë me vlerën e blerjes së një makine elektrike.
Në specifikimet teknike thuhet:
Viti i prodhimit të makinave duhet të jetë 2021,2022 . Kilometrazhi 0 km.
Makinat duhet të jenë elektrike 100% si dhe me Kambio automatike
Distanca minimale që ajo mund të ec me një karikim është 300 km
Makinat elektrike duhet të jenë gjithashtu me: Pasqyra me palosje elektrike. Xhamat elektrike para dhe mbrapa. Dritat Led të ditës dhe Led mbrapa. Si dhe Ndezja e makinës duhet të bëhet pa çelës.
Në dokumentat e tenderit thuhet se marrja me qira e makinave elektrike nga IMT pranë Bashkisë Tiranë do të mundësojë efikasitet dhe ruajte të imazhit të institucionit.
Në çmimin total të shërbimit janë të përfshira:
- Siguracioni prim-TPL
- Siguracioni kasko 90%
- Taksat vjetore, regjistrimi dhe kolaudimi
- Mirëmbajtja e mjeteve sipas manualit të prodhuesit
- Automjet zëvendësues në rast të mosfunksionimit të mjetit të ofruar
- Asistence teknike 24h/7
Por sa nevojë për mirëmbajte apo asistencë teknike ka një makinë elektrike me kilometrazh 0, në tre vitet e para të funksionimit të saj?
Pavarësisht përpjekjeve të institucionit që ka hapur këtë tender për të justifikuar shumën marramendëse të vënë në dispozicion për këtë shërbim, ajo mbetet shumë e madhe.
Me paratë që po shpenzon për marrjen e 12 makinave elektrike me qira për tre vjet, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit mund t`i kishte blerë ato.



