
Shtatë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm i ndodhur në një Sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin gjerman të Hamburgut të enjten në mbrëmje.
Incidenti në qytetin verior gjerman ndodhi rreth orës 21:00 me orën lokale. Por përditësimet e mëvonshme nga forcat policore të qytetit sugjeruan se kishte vetëm një sulmues, i cili mund të ketë vdekur në vendngjarje.
"Për momentin, ne besojmë se ka një autor. Të gjitha masat e policisë në afërsi janë duke u ndërprerë me radhë. Vazhdojnë hetimet për rrethanat e krimit", tha policia e Hamburgut në përditësimin e fundit në llogarinë e tyre në Twitter, disa orë pasi oficerët e armatosur kërkuan në vendngjarje për prova dhe të dyshuar.
Mendohet se njerëzit ishin mbledhur këtu, ndoshta për një studim biblik, kur të shtënat filluan rreth orës 21:00.

Një fqinj tha se kishte dëgjuar disa të shtëna armësh dhe, më vonë, kishte parë oficerët e policisë që nxirrnin njerëz nga ndërtesa.
Kryetari i Bashkisë së Hamburgut Peter Tschentscher ka folur për tronditjen e tij dhe ka ofruar ngushëllimet për familjet e viktimave.
Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, tha në Twitter se forcat speciale të policisë dhe një numër i madh oficerësh ishin vendosur në vendngjarje.
Policia i ka bërë apel publikut që të mos ndajë supozime apo të përhapë thashetheme. Dëshmitarët e Jehovait janë anëtarë të një lëvizjeje fetare me bazë të krishterë.
Emërtimi u themelua në SHBA në fund të shekullit të 19-të, nën udhëheqjen e Charles Taze Russell. Selia e lëvizjes është në Nju Jork.




