
Papa Benedikti, i cili u tërhoq nga drejtimi i Kishës Katolike pak vite më parë, thotë se shkak për abuzimet seksuale është bërë revolucioni i viteve ’60. Kardinali Ratzinger, pasardhës i Papa Gjon Palit, që drejtoi Vatikanin për 8 vjet (2005-2013) është shprehur se liria seksuale që erdhi në kuadër të ndryshimeve kulturore dhe historike në vitet ’60 çoi në "shpërbërje" të moralit edhe në radhët e katolicizmit.
“Revolucioni seksual në vitet ’60 çoi në homoseksualizëm dhe pedofili në institucionet katolike”, shprehet Papa Emeritus në një letër të publikuar në revistën katolike gjermane “Klerusblatt”, 6 vjet pas largimit nga Vatikani, kohë gjatë të cilës ka zgjedhur të qëndrojë kryesisht në heshtje.
Gjatë drejtimit të paraardhësit të Papa Françeskut, Vatikani ka qenë i mbyllur në lidhje me abuzimet seksuale dhe homoseksualizmin në radhët e klerit katolik.
Letra e kardinalit Ratzinger shkaktoi kritika të ashpra te teologët, të cilët shohin në të të meta serioze.
Eksperti i Vatikanit, Joshua McElwee, është shprehur për Reporterin Katolik Kombëtar: "Ai nuk trajton çështjet strukturore që mbështesin mbulimin e abuzimeve, ose rolin 24-vjeçar të kontestuar të vetë Benediktit si kreu i zyrës së fuqishme doktrinore të Vatikanit".
Po ashtu, disa akuza për abuzimin seksual të fëmijëve nga priftërinjtë janë ngritur dekada përpara viteve 1960, kohë e cila Papa Benedikti pretendon se shkaktoi krizën e abuzimit.
Julie Rubio, një teolog katolik, gjithashtu e konsideron letrën "thellësisht shqetësuese".
Është e rrallë që një ish-papë, i cili është i pari në 600 vitet e fundit që hoqi dorë nga drejtimi i kishës, të ndërhyjë në çështjet klerike. Ai është akuzuar se ka dështuar në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi i klerit dhe ka mbuluar raste të tilla.
Analiza që ai u bën skandaleve të abuzimit seksual që kanë tronditur Kishën Katolike Romake merr një qasje më teologjike dhe historike sesa Papa Françeskut.
Në një takim të nivelit të lartë në shkurt, Papa i tanishëm bëri thirrje për "masa konkrete" për të trajtuar krizën, jo thjesht "dënime të thjeshta dhe të qarta".



