Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kërkuan shpjegime nga Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka pas raporteve që shërbimet e inteligjencës daneze ndihmuan Uashingtonin të spiunonte politikanët evropianë.
"Kjo nuk është e pranueshme mes aleatëve, aq më pak mes aleatëve evropianë dhe partnerëve," tha Macron në Këshillin e Ministrave Franko-Gjermanë. Merkel tha se ishte dakord me vërejtjet e homologut të saj francez.
Transmetuesi publik danez Danmarks Radio (DR) thotë se mes 2012 dhe 2014 Shërbimi Informativ i Mbrojtjes Daneze ndihmoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA (NSA) për të vjedhur të dhëna përmes kabllove të internetit nënujore, shkruan Euronews.
Sipas raportit, Merkel ishte midis zyrtarëve që përgjoheshin.
Amerikani Edëard Snowden së pari pretendoi se Uashingtoni kishte përgjuar telefonin e Merkel në 2013-ën, një pretendim që nuk u mohua plotësisht nga Shtëpia e Bardhë.
Hetimi i ri i kryer nga DR me disa media evropiane pretendon se NSA arriti në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike të një numri politikanësh kryesorë.



