Pas miratimit të reformës në drejtësi me votë unanime të Parlamentit Shqiptar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga politika shqiptare, që të vijohet me urgjencë puna për miratimin e 7 ligjeve. Por grupet kryesore politike që dominojnë Kuvendin kanë preferuar që kto ligje ti votojnë në sesionin e ri parlamentar në shtator të këtij viti. Seanca e 25 korrikut që u njoftua se ishte dhe e fundit e këtij sesioni parlamentar u drejtua nga nënkryetarja e parlamentit Valentina Leskaj, pas mungesës së kryetarit Ilir Meta i cili ndodhet në SHBA me rastin e zhvillimit të Konventës së Demokratëve, aktivitet në të cilin po merr pjesë edhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Kërkesa e ndërkombëtarëve duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhër, sipas burimeve kreu i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi i ka kërkuar deputetëve socialist që të mos largohen deri më datë 28 korrik, kur supozohet se mund të ketë edhe një seancë tjetër të fundit, ku do të mund të votohen 7 ligjet. Por ky votim nuk ka pengesë vetëm shtesën e një seance parlamentare. Në të njëjtën kohë pritet edhe dekretimi nga presidenti Nishani, i miratimit në parim të reformës në drejtësi. Presidenti ka afat deri në 15 ditë pas miratimit të reformës për të bërë dekretimin, e me një llogari të thjeshtë del se ka afat deri në javën e parë të gushtit. Shtyrja e nismave për në shtator mund të shfrytëzohet nga opozita për zvarritjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi duke kërkuar ndryshimin e drafteve, sikurse ndodhi me projektin kushtetues



