Reforma e re territoriale vijon të shkaktojë përplasje politike, ndërsa diskutimet për shkrirjen e 15 bashkive pritet të shoqërohen edhe me kundërshtime brenda mazhorancës.
Xhelal Mziu deputet i Partisë Demokratike, në MCN Live, e cilësoi reformën si një nismë që rrezikon të thellojë shpopullimin dhe centralizimin e vendit, duke paralajmëruar protesta kundër ndryshimeve të propozuara.
Deputeti demokrat theksoi se protesta e paralajmëruar nuk duhet parë si një aksion i izoluar politik, por si vijim i një serie protestash të nisura prej muajsh.
Dua të them që nuk është një protestë kombëtare dhe as fillimi i një beteje, është në vazhdën e protestave të filluara nga dhjetori i kaluar për të shkuar deri në muajin qershor, ku në qershor kemi protestën qytetare, por të mbështetur edhe nga mbështetës të PD. Do protestojmë për 15 bashkitë që rrezikohen, sepse na intereson të mos shpopullohet vendi. Është një dëm i jashtëzakonshëm që i bëhet Shqipërisë në funksion të reformës territoriale.
Sipas tij, ndryshimi i hartës territoriale është i gabuar edhe në raport me objektivat e decentralizimit, ndërsa argumenton se reforma e mëparshme ka sjellë një reduktim drastik të njësive vendore.
Ai u ndal edhe te modeli europian, duke argumentuar se sfida e vendeve të Bashkimit Europian është afrimi i shërbimeve me qytetarët, ndërsa sipas tij, reforma e propozuar në Shqipëri shkon në drejtim të kundërt.
Kryeministri tenton të kalojë një reformë antiligjore dhe antikombëtare, sepse nga eksperimenti që u bë u zvogëlua 6.5 herë numri i njësive vendore dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend. Një tjetër argument është se mesatarja e popullsisë për njësi vendore në BE është 9-10 mijë banorë, ndërsa Shqipëria është më e centralizuar sesa mesatarja e vendeve të BE-së, ku çdo ditë hartojmë ligje. Sfida në Europë është shërbimi më i afërt i qytetarëve, rritja e njësive vendore. PD propozoi një tjetër qasje, por PS nuk e pranoi, sepse ajo e ka si synim decentralizimin nga pikëpamja politike. Ne besojmë se kjo reformë nuk i shërben qytetarëve dhe nuk ndihmon në frenimin e shpopullimit.
Përballë pretendimit se mazhoranca i ka votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet, deputeti demokrat deklaroi se brenda grupit parlamentar socialist ka kundërshtime më të gjera nga sa janë bërë publike deri më tani.
Përveç dy deputetëve të PS që kanë dalë kundër, ka më shumë kundër. Besoj se deri tani Rama ka vetëm 82 mandate dhe e ka të pamundur për ta kaluar. Ka shumë deputetë të PS që janë kundër shkrirjes së bashkive.



