
Prej mesit të nëntorit e gjithë bota është mbërthyer nga varianti i ri afrikan, Omicron. Edhe Italia fqinje ka regjistruar rastet e para nga ky variant.
Lidhur me këtë shkas, mjeku shqiptar që punon në urgjencën e Torinos, Arben Gjeka, thotë përmes skype për edicionin e lajmeve në MCN TV, se deri më tani janë 11 pacient të identifikuar me këtë variant, porse rrezikshmëria është mjaft e ulët, sepse të njëjtët e kanë kaluar fare lehtë infektimin e ri nga Omicron.
“Janë identifikuar zyrtarisht 11 raste, të cilët e kanë kaluar fare lehtë infektimin. Është një shifër që nuk korrespondon me realitetin sepse janë parë teste specifike që kanë bërë identifikimin. Duhet të jemi vigjilentë sepse nuk dimë çfarë efektesh ka. Në nivel global nuk ka asnjë rast vdekje. Është duke u verifikuar fakti nëse vaksina mbron nga ky variant dhe ky variant është më i transmetueshëm dhe më pak agresiv. Por duhen disa muaj për të pasur verifikime më të sakta. Ky variant mund të bëhet bashkëjetues me ne ashtu si gripi, por janë të dhëna që do ti shohim me kalimin e kohës.
Me gjasë varianti i ri Omicron, i regjistruar në Itali ishte ai që solli vendimin drastik të qeverisë për të mos lejuar asnjë qytetar të udhëtoj apo frekuentojë institucionet pa certifikatë vaksinimi. Që nga dita e djeshme, Italia nisi aplikimin e Green Pass, sqaron mjeku Gjeka.
“Jemi në prag të festave të fundvitit. Vitin e kaluar italianët i vuajtën shumë kufizimet, këtë vit për asnjë arsye qeveria nuk do lejojë të prishen këto festa. Këto masa kanë për qëllim të arrihen festat pa kufizime. Nga dje u fut në funksion super Green Pass me të cilën mund të shkosh në çdo ambient të mbyllur kurse Green Pass i thjeshtë të ofron të shkosh në punë, të marrësh pjesë në martesa, apo kafe. Për momentin rruga e vetme për ta luftuar Covid është vaksinimi.
Për mjekun shqiptar në Itali, ky shpresohet të jetë dimri i fundit me koronavirus.
“Nuk është e thjeshtë të flasësh për këtë. Duke marrë parasysh viruset e tjera. Shpresoj të jetë dimri i fundit me Covid. Deri tani të gjithë janë përqendruar tek virusi. Në itali Instituti i Teknologjisë së lartë së bashku me shkollën “santana”, kanë zbuluar një qelizë të re Aptamer, që ndalon virusin të hyjë në trupin e njeriut, por në javët në vijim do shohim vijimësinë.



